Lindja e mesme nuk është model për t’u ndjekur

Njeriu nuk ka nevojë të hulumtojë gjatë e të shoh dallimin mes Islamit që i zbriti Muhamedit a.s nëpërmjet Kur’anit fisnik dhe Islamit të lindjes së mesme që evidentohet me tradita dhe zakone të llojllojshme.

Islami që i zbriti Muhamedit a.s është i dallueshëm nga ai që sot e shohim në lindje të mesme apo që njihet edhe më gjerë. Islami që i zbriti Muhamedit a.s është i ndërtuar mbi parimin e drejtësisë dhe vlerave të larta humane dhe njerëzorë, ndërsa atë që e shohim në lindjen e mesme pothuajse aktualisht nuk i përngjanë Islamit real dhe objektiv.

Duke pasur parasysh traditat dhe zakonet, sot disa Islamin e quajnë si Islam saudian, Islam egjiptian, Islam pakistanez, iranian e kështu me radhë. Pamje fetare “Islame” ndryshe. Krime nën mbulojën kinse Islame, diskriminim i femrës në emër të Islamit e jo nën mbulojën injorante të traditës etj. Të urdhërosh për të mirën dhe të ndalosh nga e keqja, nuk do të thotë të lejosh atë që ka ndaluar Zoti. Por edhe të ndalosh atë që është e lejuar nuk të epët kjo e drejt.

Ndalesat janë të përcaktuara dhe të kufizuara dhe të njohura për secilën kohë dhe ambient. Vrasja është e ndaluar në çdo kohë dhe vend, si në Kinë po ashtu edhe në Siri apo Kanada. Kjo është e ditur qysh para 14 shekujve por edhe më parë nga të deleguarit tjerë të Zotit. Gjithashtu mosrespektimi i prindërve, hajnia, përgojimi e shpifja, veprat e ndyta, ngrënia e mishit të derrit etj. janë të ditura qysh në kohën e para 14 shekujve.

Asnjë ligj sekularist në vendet me demokraci të zhvilluar nuk të detyron gjëra të tilla. Në kohën profetike, tradita nuk lejonte femrën që të udhëtoj e vetme dhe kjo për atë kohë ndoshta ishte diçka normale, por kjo nuk do të thotë që nëse ajo sot udhëton e vetmuar në kohën e sotme t’i bëhet HARAM-e ndaluar sepse nuk është çështje fetare por është zakonore. Ne themi se duhet të bëhet dallim midis teksteve Kur’ anore dhe traditave apo zakoneve të popujve të lindjes së mesme. Në lindje të mesme nuk mund të krenohen me Islamin nëse e llogarisin Islam traditën e tyre.

Tradita e secilit komb, mbetet e tij, ajo nuk llogaritet pjesë e urdhëresave apo ndalesave fetare Islame. Islami çmon dhe nderon traditat e popujve që janë nën hijen e respektit të vlerave morale dhe edukative. Ajo që ishte traditë e dikujt mbetet traditë dhe asgjë më shumë, nuk mund të arrijë gradën e dispozitës hyjnore në asnjë variant. Ndalesat dhe urdhëresat janë të njohura dhe të shkruara në Librin e Zotit e që janë për çdo kohë dhe shoqëri. Askush nuk ka të drejtën që të imponojë traditën e tij dhe ta inkorporojë në suaza të ndalesave dhe urdhëresave hyjnore. Le të mbetet tradita e tillë, zakonet të tilla e ndalesat dhe lejesat i ka përcaktuar Kur’ani. Është në dorën e individit të veprojë dhe të gjejë mënyrën që atij i përshtatet për të mirën e tij. Fundja secili përgjigjet varësisht trurit të tij. Askush nuk do të jap llogari se përse nuk kishte trurin dhe mendjen e tjetrit.