Pse herë me një “t” e herë me dy “t”: “Zoti e nderoftë!”, “Zoti e ruajttë!”…?

Pse herë me një “t” e herë me dy “t”: “Zoti e nderoftë!”, “Zoti e ruajttë!”…?

Sa shumë më kanë pyetur se a shkruhet “Zoti e ruajttë!” apo “Zoti e ruajt(ë)!” dhe pastaj kur po u dashkan dy “t” e kur vetëm një “t”.

Po ndërtoj një përgjigje pa përdorur shumë terma gramatikorë.

Kur duam të përdorim një folje në mënyrën dëshirore (për vetën e tretë njëjës në kohën e tashme), së pari le ta mendojmë si bën ajo folje kur ia qesim përpara “duke”: duke punuar, duke nderuar, duke mësuar, duke ruajtur, duke ditur, duke mbrojtur…
Formën që po merr folja kur po ia shtojmë “duke”, gramatikanët e quajnë pjesore. Pra, pjesore të foljes qenkan këto: punuar, nderuar, mësuar, ruajtur, ditur dhe mbrojtur.
Pastaj, shohim para asaj “ur” a po kanë “t” apo jo. Nëse nuk kanë “t”, atëherë në dëshirore, nëse marrin “t”, e marrin vetëm një: punoftë, nderoftë, mësoftë!.
Kurse, nëse kanë “t” (ruajtur, ditur, mbrojtur), në dëshirore dalin me dy “t”: ruajttë, dittë, mbrojttë!.

Mendoj se drejtshkrimi i gjuhës shqipe, shqiptarëve që duan të mësojnë të shkruajnë pa gabime, por jo edhe të bëhen gramatikanë; u duhet shpjeguar mbi bazën e dilemave e të mëdyshjeve që kanë zakonisht.
Shoqata e themeluar “Dashamirët e Shqipes”, ndër synimet e tjera, ka të parin synim përhapjen e rregullave të gjuhës shqipe me shpjegim sa më të thjeshtuar e sa më praktik.

~Prof. Ilmi Rexhepi