Feja Islame është një, por komentimi, interpretimi dhe mendësia mbi te janë shumë..

Secilin që e pyet do të përgjigjet njësoj, Islami është një. Realisht edhe ashtu është, nga Ibrahimi a.s. e deri te Muhamedi a.s, Islami ekziston, pra ekziston thirrja për besim në Një Zot, thirrja për të besuar në Një Zot, botën tjetër dhe mirësjelljen në këtë botë. Këto tre elemente janë gjenerale, të përhershme dhe nuk ka asnjë dallim midis të zgjedhurve të Zotit.
Por çfarë ka ndodhur më pas, përse kanë ndryshuar gjërat në këtë drejtim, duke dhënë drejtim fesë ndryshe, mendime, opinione dhe më e keqja ndërhyrje në sekretet e Zotit.
Kurani është Libër që në te janë mbi 6000 citate, i qartë, i plotë dhe i kuptueshëm. Por shpjegimi, komentimi i atyre citateve ka bërë të kemi ndarje e lëkundje nga parimet gjeneralë të qarta në Kuran.
Islami është një, por njerëzit që e komentojnë atë janë me miliona. Komentimi, interpretimi dhe mendimi mbi Kuranin, nuk janë Kuran. Mendimi dhe komentimi nga ana e komentatorve dhe studiuesve të fesë për Kuranin, nuk janë shpallje dhe nuk janë pjesë përbërës e Kuranit dhe e as Islamit. Mbeten vetëm mendime dhe supozime të njerëzve studiues të fesë.
Në Pakistan, studiuesit e fesë në atë vend nuk e komentojnë Kuranin me mendësinë Saudiane e as Turke si dhe anasjelltas.
Ne Arabinë Saudite, komentimi dhe qëndrimi i dijetarëve në atë vend është krejtësisht i kundër me atë që është në Turqinë jo arabe.
Gjitha vendet arabe kanë supozime nga më të ndryshmet njëra me tjetrën.
Afganistani ka formën e vet mbi të kuptuarit e fesë, po ashtu është në Indi, Malajzi e Indonezi.
Ajo që duam të themi është fakti që ndikimet e jashtme në një vend tjetër mbi fenë janë qasje e gabuar. Në trojet Shqiptare duhet komentim dhe interpretim me mendësinë tonë e të rajonit e jo me mendësinë e huaj.
Secili komb ka të drejtën të jetë i pavarur në komentin mbi Kuranin. Ne Shqiptarët e besimit Islam nuk mund të kemi kuptim të fesë me mendësinë e komentit në Pakistan, Turqi, Afganistan, Saudi e Egjipt… Mendësia e tyre mund të jetë valide dhe e ligjshme në vendet e tyre por jo doemos edhe në vendin tonë.