E nderuara familje Jashari, shkruan: Hafize Elshani

Shkruan: Hafize Elshani

  • E nderuara familje Jashari,

Ju na treguat si vritet robria, si vritet vdekja, si vritet dhimbja e si ngriten kullat në themelet e gjakosura e të shkrumbuara , e ju po na tregoni si jetohet çdo ditë me dinjitet e me nder.

Sa herë vjen marsi, në kujtesën tonë ngritet si kala madhështia e një qëndrese, një lufte, një mesazhi, qe bota s´kishte marrë asnjëherë me parë. Një mesazh, që zgjoi edhe mendjet me të fjetura e të turbulluara të asaj kohe.

Sa herë vjen marsi, para nesh shfaqet Shabani, Hamza e Ademi duke kuvenduar në atë kullë qëndrese, me Osmanin, me të afërmit e tyre, e sidomos me gratë e femijët e vet, në atë kullë, ku u rritën vetëm luftëtarë e luftëtare, ku kishte zana e engjuj që e lidhën Besën me njëri tjetrin, e atë Besë ia dhanë Kosovës dhe lirisë së sajë.

Ata, atë ditë vendosën t´i tregonin botës, se liria dhe nderi shqiptar mbrohet me jetë, që nga plaku e gjer të fëmija në djep. Ata burra e ato nëna, së bashku me fëmijët e tyre, ju bënë muran nëpërkëmbjes që po i bëhej popullit tonë, ato gra që rrokën armët e luftuan përkrah me burrat e tyre, ata fëmijë që bartën fyshek dhe i mbajtën gjerdanët e mitralozëve, ia kthyen dinjitetin popullit tonë që me vite po dërgjej nën durimin e pa fund, të një pritjeje të pakuptimt.

Pas asaj që e kanë thënë historianë e publicist, bashkëluftëtarë e bashkëveprimtarë të Komandantit, do të ishte e tepërt të flisja unë, sot, për përmasat e madhështisë së jashtëzakonshme të asaj ngjarje të viteve me parë.

Figura e Adem Jasharit, është një fenomen në historinë tonë kombëtare, është një personalitet shumë dimenzional, i cili me filozofinë e tij luftarake dhe politike i tejkalon natyrshëm përmasat e një udhëheqësi politikë dhe luftarak.

Madhështia dhe përmasat mitike të ngjarjes së 5, 6 e 7 marsit qëndrojnë pikërisht në veçantin e qëndresës dhe mënyrës se si e bënë luftën Jasharajt. Aty ishte një brigadë lirie e përbërë nga moshat me të ndryshme, aty u shpalos përgatitja shekullore për liri. Përpjekja e bacit Shaban, për të përgatitur luftëtarë lirie, u shpagua ato ditë, të cilat e kthyen për së mbari historinë më të re të kombit tonë. U shpagua, sepse, në atë betejë të lavdishme, Kosovës – jo vetëm që ju kthye dinjiteti, e ju hapën dyert e lirisë, por ju dhurua miti, legjenda, një legjendë që s´kishte përjetuar më parë.

Dhe në fund po them se, vendimi i Shaban Jasharit me Komandantin Legjendar Adem Jashari, Hamzën dhe me tërë familjen së bashku – për t´ju kundërvënë armikut, përbënë aktin më sublim që ka njohur ndonjëherë njerëzimi.

Janë të panumërta rastet ku heronjtë dhe dëshmorët kanë dhënë jetën për atdhe, por sakrifica që e bënë Jasharajt është unikatë, ata luftuan bashkë me fëmijët e tyre. Ata, në sfondin e flamurit tonë bashkë me jetën e tyre mbështollën edhe jetën e asaj që është më e shtrenjtë se vetvetja, jetën e fëmijëve të vet. E pikërisht ky fakt e bënë edhe më madhështore dhe mbi njerëzore sakrificën e kësaje familje.

Përjetësisht me respekt, do të përkulemi para jetës dhe sakrificës së tyre.

Përjetësisht me respekt, do të përkulemi para shembullit të vazhdimësisë së dinjitetshme të traditës së familjes Jashari!

Lavdi jetës dhe veprës së Adem Jasharit dhe familjes Jashari!

Lavdi rënies heroike të Jasharajve !

Lavdi të gjithë Dëshmorëve të Kombit të rënë për liri!