Sharlatanët e regjur dhe amullia e çuditshme

Sharlatanët e regjur dhe amullia e çuditshme

Shfrytëzimi më i ultë që mund t’i bëhet njeriut është shfrytëzimi i tij në emër të fesë. Fatkeqësisht një gjë e tillë po ndodhë çdo ditë e më shumë edhe në shoqërinë tonë nga batakçitë e rryer ‘fetar’, të cilët duke u mbuluar me petkun e fesë po shfrytëzojnë hallet dhe problemet e shumta të njerëzve për përfitime personale!

Sot, në shoqërinë tonë, pothuajse çdo ditë hapet një moçal i neveritshëm, i cili kundërmon erë mashtruese nga veprimtaria shfrytëzuese e sharlatanëve të regjur! E që çuditërisht veprimtaritë e tyre të mbuluar me petkun e fesë po i ushtrojnë në një komoditet të lartë, dhe kjo për shkak të një amullie të çuditshme karshi këtyre ordinereve të pa skrupullt.

Ata, me veprimtarinë e tyre mashtruese po paraqesin para opinionit një ‘islam’ që shëron çdo sëmundje, e që rrjedhimisht i bie që duhet mbyllur spitalet dhe qendrat mjekësore, ngase sipas tyre kemi dyqanet ‘islame’ që shërojnë çdo sëmundje me drithërat dhe barishtet e tyre, ngasë kemi hixhamxhinjë të cilët me skallperët e tyre të ndryshkur shërojnë çdo sëmundje, ngase kemi rukjexhinjë të cilët shfaqen si kërpudhat pas shiut e të cilët me frymën dhe rrahjet e tyre shërojnë çdo sëmundje! Mjafton të vizitoni ndonjë nga këto dyqane ‘islame’ apo ndonjë nga webfaqet e tyre dhe do habiteni se si këta sharlatan të regjur në emër të fesë me drithërat dhe barishtet e tyre ‘shërojnë’ çdo sëmundje, dhe atë me çmime marramendëse!

Ditën kur vdiq Ibrahimi, djali i Pejgamberit a.s, po të njëjtën ditë ndodhi edhe eklipsi i diellit, dhe besimtarët me këtë rast menduan dhe thanë se ky eklips erdhi për shkak të vdekjes së djalit të Pejgamberit a.s. Por, kur Pejgamberi a.s kishte dëgjuar këtë, tha: “ Dielli dhe hëna janë dy nga shenjat e Zotit me të cilat Ai i frikëson robërit e Tij dhe se ato nuk eklipsojnë për shkak të vdekjes së askujt”. Paramendoni sikur do kishte rastisur diçka e tillë me ndonjërin nga këta batakçitë e rryer ‘fetar’, si do ti shfrytëzonin njerëzit dhe hallet e tyre në emër të fesë!

Ne nuk gjejmë asnjë argument i cili argumenton se ndonjëri nga sahabet e Pejgamberit a.s apo ndonjëri nga pasuesit e tyre ishte i njohur si rukjexhi, i cili u lexonte kur’an të sëmurëve. Përkundrazi, tradita e Pejgamberit a.s na mëson se neve duhet ti lexojmë vetvetes. Pejgamberi a.s i lexonte vetes dy suret e fundit – muavidhetejn- deri sa ishte sëmur rëndë me sëmundjen e vdekjes, dhe në këtë gjendje kur ai nuk mundej më, ato ia lexonte bashkëshortja e tij Aisha r.a. Dhe këtë e bënte pasi ai kishte kërkuar shërimin tek mjeket dhe specialistet e mjekësisë së asaj kohe.

Transmetohet nga Imam Ahmedi se Urve Ibn Zubejr kishte pyetur nënën e besimtarëve, Aishe r.a : “ Nuk habitem me fikh-jurisprudenca tuaj, ngase them se është gruaja e të Dërguarit të Zotit dhe e bija e Ebu Bekrit, nuk habitem me njohurit e tua për poezinë, por më bën përshtypje dhe habitem me njohuritë tuaja për mjekësin, si dhe nga erdhi? Ajo tha: i Dërguari i Zotit ishte i sëmur në fund të jetës së tij, dhe tek ai vinin mjek me delegacione të arabëve nga të gjitha anët, dhe unë mësoja nga ta”.

Kur ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore e Sad Ibn Ebi Wekasit r.a. Pejgamberi a.s kishte thënë: “Dërgone te El-Harith bin Kalda – i njohur si mjeku i arabëve -, sepse ai është burrë që mjekon”.

Pra, Pejgamberi a.s edhe pse ishte i Dërguari i Zotit kërkonte shërim nga mjekët specialist të asaj kohe, dhe urdhëronte dhe udhëzonte që të sëmurët t’i drejtohen mjekëve kompetent. Ndërsa sot, në emër të fesë batakçitë e rryer me rukje, barishta e drithra ‘shërojnë’ çdo sëmundje pa përjashtim!

Andaj, është më së e nevojshme ta informojmë opinionin për mashtrimet e këtyre sharlatanëve të regjur, të cilët mashtrojnë në emër të fesë, dhe se puna e tyre është si ajo e Zarifes së Nasredin Hoxhës.

Isa Lushaku