Kemi besuar njëherë, nuk kemi nevojë t’na përsërisni çdo ditë refrenin BESO

Kemi besuar njëherë, nuk kemi nevojë t’na përsërisni çdo ditë refrenin BESO
Jo rrallëherë shohim individë apo grupime që kanë synim “edukimin” e “udhëzimin” e të tjerëve, duke mos patur kohë të merren me veten as edhe një moment. I “edukojnë” dhe u japin vulën e udhëzimit kinse të drejt të tjerëve ndërsa në realitet nuk gjejnë as edhe një moment kohë për veten e tyre për të vlerësuar se ku gjinden në çështjen e edukimit dhe udhëzimit vet ata. I dëgjojmë shpesh duke thënë: Zoti të udhëzoftë, apo Zoti të drejtoftë. Në realitet do ishte mirë që s’pari vet ata të dinë se në cilin udhëzim apo drejtim aludojnë. Njerëzit do u besonin me një kusht, që ata pas verifikimit të vetes së tyre në çështjen e udhëzimit, këtë do kishin drejt t’ua dëshironin edhe tjerëve. S’pari do ishte mirë të kuptojmë prej tyre se çka është udhëzim e drejtim. Nëse synojnë me udhëzimin besimin në Zotin Një, është një lutje e mirë që duhet kihet parasysh. Por, njeriu njëherë beson dhe nuk lëkundet e për këtë arsye nuk ka nevojë lutja e tyre ditore me: Zoti të udhëzoftë.
Udhëzimin në rrugën e Zotit është të besojmë ekzistimin e Tij, t’i përulemi me respektin më të lartë në lidhje krejtësisht shpirtërore midis njeriut dhe Zotit të tij. Përulja, frika dhe nënshtrimi ndaj Zotit është kur ne jemi të drejt njëri me tjetrin, kur ne zbatojmë dhe kujdesemi për shenjtërinë e individit dhe kur ne e ndërtojmë personalitetin me virtytet më të larta të nderit e respektit ndaj të gjithëve pa dallim. Secili person individë duhet të niset nga vetja e tij e jo nga të tjerët. Individi duhet të bind veten që Zoti ekziston dhe nuk ka nevojë për sektarizëm dhe ekstremizëm për të dëshmuar këtë që ai e beson në brendësinë e tij. Secili duhet të dijë që I Madhi Zot njerëzit i ka krijuar të gjithë të barabartë dhe me vlerë, ndërsa fetarizmi është çështje krejtësisht individuale dhe raportet e individit me Zotin janë krejtësisht të brendshme. Raportet ndër njerëzore duhet të bazohen mbi vlerën e shenjtërisë së krijesës së bukur njeri e jo mbi bazën e dyfaqësisë dhe formalitetit të dukshëm.