Tani pas më shumë se 14 shekuj, ka filluar një shmangie nga citatet Kur’anore që janë të garantuara nga Zoti. Interpretimi dhe komentimi mbi fenë është duke u bazuar jashtë Kur’anit dhe traditës profetike.
Argumentimet e gjërave fetare Islame janë sot si asnjëherë më parë të mbështetura në gojëdhëna të transmetuesve anonim e që në shumicën dërmuese të rasteve me pseudonime. Pseudonimet e askujt nuk përfaqësojnë vullnetin e Krijuesit.
Është e pa mundur të gjesh konsensus në çështje fetare. Përjashtimisht konsensusi ekziston në atë se Zoti ekziston dhe se Kurani është Fjalë e Tij. Por konsensus dhe unitet në komentimin dhe interpretimin e Kuranit pothuajse nuk ka. E as në çështjet profetike e as në çështjet e jurisprudencës dhe të adhurimeve. Kjo për faktin se përpjekja për të argumentuar gjërat nga gojëdhënat dhe anonimët e bën krejtësisht të pamundur një qëndrim unik në një çështje të kësaj bote.
Është slogan tashmë i njohur, që për secilën pyetje me karakter fetar, të merrni përgjigjen: Janë dy mendime, janë ndarë dijetarët në disa mendime apo përgjigjen e merrni edhe kështu: Ka thënë biri i atij apo baba i atij… E kush është biri e kush është baba?!
Anonimitet i plotë, i paqartë dhe drejt rrugës pa krye.
Kjo edhe ka bërë që të kemi qindra dhe mijëra fraksione, ideologji e rryma që në emër të anonimitetit duan të shtrijnë ndikimin në masat popullore. Duke lenë anash krejtësisht Kur’anin dhe praktikën profetike e duke argumentuar gjërat me emra anonim që edhe mund të jenë legjenda, por edhe gojëdhëna. Legjendat dhe gojëdhënat janë supozime e supozimet nuk mund të sjellin vendime Hyjnore. Kur’ani qartësisht ka shtjelluar çdo çështje që ka të bëj me: Besimin, adhurimin, moralin, edukatën, mirësjelljen, drejtësinë, dashurinë dhe punën e dijen. Këto janë elemente gjeneralë të Kur’anit Fisnik. Kurse elementet tjera si: Luftërat, personat e caktuar, rrëfimet mbi profetët e mëparshëm janë të kontekstit historik, të qartë dhe jo gjeneral.
E përse të polemizohet dhe të armiqësohen njerëzit kinse në emër të fesë, por me polarizime të anonimëve dhe gojëdhënave?!