Të mos jetojmë në frikë por t’i përvishemi angazhimit e punës

Të mos jetojmë në frikë por t’i përvishemi angazhimit e punës

Përse të krijojmë opinion të frikës në shoqërinë tonë? A thua të rinjtë dhe gjeneratat si tërësi kanë nevojë për një shoqëri që edhe në këtë botë jetojnë në frikë por edhe u paralajmërohet frika edhe për botën e përtejme. Frikë nga jeta, frikë dhe pesimizëm për të ardhmen! Ngjallja e pesimizmit është shenjë se shoqëria po kalon nga një fazë e relaksuar në një rrugëtim të frikës. Ne duam dhe duhet të studiojmë, punojmë dhe të jetojmë si dhe të krijojmë ura të bashkimit, ofrimit dhe shpresës për të tashmen dhe të ardhmen.

Frikë dhe panik, nga kush dhe për kënd. Frikë nga Zoti apo frikë nga njerëzit por edhe frikë nga vetvetja.

Frika nga Zoti nuk nënkupton frikën dhe panikun se ai mund të ndëshkoj, por frikë nga sjellja e jonë me njerëzit, sjellja jo e mirë krijon zemërimin e Zotit të Madhërishëm i cili dëmin dhe goditjen që njeriu i bën njeriut, Zoti nuk e fal, e pret masë ndëshkuese. Pra frika nga Zoti është qëllim nxitja por edhe frikësimi. Njeriu gënjen, shpif, ofendon, lëndon, e si të mos ketë frikë nga ajo që ai bën. I Madhërishmi Zot i ka bërë vetes obligim ndëshkimin ndaj njeriut i cili shtyp njeriun duke i cenuar jetën, nderin, pasurinë apo integritetin individual.

Thirrja Kur’anore për frikë nga Zoti ka qëllim masën edukuese dhe këshilluese e assesi shpejtësinë e ndëshkimit. Duke respektuar njerëzit dhe duke qenë besimtar i devotshëm ndaj Krijuesit, njeriu ka dëshmuar respektin dhe dashurinë për Krijuesin e tij dhe respektin për njeriun.

Edhe namazi, agjërimi, Haxhxhi dhe sadakaja, synim kryesor kanë krijimin e vlerave të mirësjelljes ndaj të gjithëve pa dallim.

Njeriu posedon liri të plotë të veprimit dhe besimit. Ai nuk është i detyruar në veprime sepse sikur të ishte i detyruar do mund të vepronte çdo gjë në emër të asaj se është i detyruar nga Zoti. Si krijesë e vëmendshme dhe me intelekt, njeriu ka aftësinë e ndërtimit dhe kontributit të një jete të mirë dhe të qetë. Andaj të bëhemi të atillë që krijojmë optimizëm dhe raporte të shkëlqyera midis nesh. Ne jemi një shoqëri e lirë dhe duhet të shfrytëzojmë lirinë tonë për të dashur njëri tjetrin dhe mbi të gjitha për të fituar kënaqësinë e Zotit Fuqiplotë.

Fundja, askush nuk mund të mbizotërojë me idetë e tij çfarëdo qofshin ato. Është vullnet I Zotit që njerëzit të kenë pikëpamje nga më të ndryshmet, por nuk është vullnet I Zotit dëmtimi I njëri tjetrit në emër të Zotit dhe për t’u ofruar te Zoti. Sikur Ai të donte të gjithë do të ishin të një besimi e mendimi. Shumë njerëz lexojnë Kur’anin dhe sigurisht nuk iu ka ikur ky ajet Kur’anor: “SIKUR TE DONTE ZOTI YT DO TË BESONIN TË GJITHË NJERËZIT MBI TOKË. A TI PO I DETYRON ATA TË BËHEN BESIMTARË” (S. Junus: 99)