Edhe sot, si çdo vit tjetër, kur vjen dita e flamurit, kujtojmë të gjithë ata që kanë sakrifikuar jetën për ideale dhe për flamur. Kanë përjetuar burgjet dhe torturat nga më të rëndat dhe prap se prap i kanë qëndruar besnik idealit kombëtar. Sakrifica e tyre si dhe durimi na kanë sjellur lirinë që gëzojmë sot dhe flamuri kombëtar valvitet me krenari në të gjitha trojet shqiptare.
Një nga ata ka qenë edhe i ndjeri hafiz JAKUB Dukagjini MUQEZIU, ish imam e vaiz në xhaminë e “Emin Pashës” në Prizren, i cili ishte burgosur nga pushteti jugosllav dhe ishte dënuar me vdekje, ku më pas dënimi me vdekje ishte kthyer në 20 vite burgim të rëndë, dhe mbas amnestisë ishte liruar, duke vuajtur plot 12 vite burgim.
Pas lirimit nga burgu, ai vazhdoi jetën dhe mbajti idealin për Kombin Shqiptar. Çdo vit në prag të 28 Nëntorit, vendoste flamurin kombëtar në dyqanin ku punonte edhe pse e dinte që policia e atëhershme do ta burgoste për këtë vepër. Sidoqoftë, çdo vit pa iu trembur fare syri, valonte flamuri kombëtar në dyqanin e tij.
Lavdi për të gjithë ata që kanë sakrifikuar jetën për liri dhe flamur.
Huazuar nga Mynir Dukagjini