PASTËRTIA NË ISLAM

Hytbeja e xhumasë dt. 19.11.2021
PASTËRTIA NË ISLAM
-Muslimani e ka obligim që në çdo çast të jetës së vet të synojë kah shkalla më e lartë e të mirës, si dhe ta nxisë vetën për ngritjen materiale dhe shpirtërore, sepse ardhmëria e tij tek Allahu është e lidhur me shkallën të cilën ai e arrin në zhvillimin e vet. – Nëse e gjen vdekja kur ai është në kulminacion, ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit më të lartë – Firdeus; nëse e gjen vdekja duke qenë mesatar, e gjen shpërblimin e mesëm; e nëse e gjen kur ai është zmbrapsur dhe e ka humbur qëllimin, e rrëmbejnë atë rojtarët e dënimit të dhembshëm.
“O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin)”. (el-A’raf: 31)
1. Kuptimi i përgjithëshëm i ajetit:- “O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje). Bazuar në këtë pjesë të këtij ajeti, kuptojmë pëlqimin e zbukurimit në veshje me rastin e faljes së namazit, pastaj parfumosjen sepse edhe ky është zbukurim si dhe përdorimin e misvakut (brushën) për pastrimin e dhëmbëve, i cili është kompletim i zbukurimit.
2. Pastërtia është shpëtim:- Pejgamberi a.s. e ka cilësuar pastërtinë duke thënë se: “Pastërtia është gjysma e besimit”. (Muslimi). Pra, gjysma e besimit është të pastruarit shpirtërisht dhe fizikisht. Ndërsa, në transmetimin e Ebu-Hurejrës r.a. Kur Muhamedi a.s. u bëri vizitë varrezave dhe diskutimin me shokët e tij rreth ardhjes së vëllezërve … shokët e pyetën se si do ta njohësh atë që ende nuk ka ardhur, Muhamedi a.s. u përgjigj: “Ata do të vijnë me gjymtyrë të shkëlqyera nga abdesti”.
3. Pastrimi fizik është bazë për pastrim shpirtëror:- Islami i ka kushtuar rëndësi të madhe çështjes së pastrimit dhe e llogaritë si bazë të misionit të tij. – Islami e nderoi trupin, andaj edhe e bëri pastrimin e tij të plotë si kusht të patjetërsueshëm për çdo namaz.
– Islami e obligoi muslimanin që ta lajë tërë trupin në shumë situata të cilat e përcjellin njeriun si zakonisht, ndërkaq në situate të tjera, normale, mjafton larja e gjymtyrëve dhe pjesëve të cilat i ekspozohen pluhurit të ambientit dhe kryerjes së punëve të ndryshme.
4. Mënyra e pastrimit në Islam është nga metodat më të pranuara:- Asnjëherë nuk do të jetë obligimi i pastrimit metodë më produktive dhe më e drejtë se kjo që e trasoi Islami, sepse kjo metodë e shtyn njeriun ta bëjë shprehi pastrimin e tërë trupit dhe abdestin, edhe nëse ai është i pastër, dhe kjo metodë e mënjanon nga popullata muslimane çdo gjurmë të fëlliqësisë dhe ndytjes. Muhamedi a.s. ka thënë: “Kjo është ditë të cilën Allahu e bëri festë për muslimanët, andaj, kush vjen në xhuma, le të pastrohet”. (Transmeton Ibën Maxhe)
5. Përfundimi:- Njeriu i pastërt fizikisht nuk është pengesë për askend që e rrethon, sepse me pastërtin e tij fizike i bënë me u ndijë edhe të tjerët mirë. Gjithashtu edhe me pastërtin shpirtërore janë të sigurt të tjerët, sepse nuk krijon ngatërresa në rrethin ku jeton.

Imam Adnan Vishi, Xhamia Mirësia Kaçanik