Libër që nuk ka dyshim në te…
Në fillim të hapjes së Kuranit pas kaptinës Fatiha, fillon kaptina më e gjatë e Kuranit e që quhet Bekare. Po ajo që vërejmë në citatin e parë të kësaj kaptine të gjatë që në përbërjen e saj ka gjëra të ndryshme, është edhe fakti se tregon qartë se kush janë ata që nuk dyshojnë fare në Librin, shpalljen e Zotit.
“Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim, është udhërrëfyes për të devotshmit”.
Në këtë citat dhe citatet tjera pasuese tregohet saktë se kush llogariten të devotshëm sipas Kuranit. Pra citati vijues konsideron që më të devotshmit në rangun më të lartë janë ata që e besojnë të fshehtën.
Por çka është e fshehta në konceptin Kuranor?
Sigurisht që është Vet Zoti, Ai nuk shihet me sy, por Atë e besojnë njerëzimi. E besojnë sepse faktet në gjithësi dhe të diturit janë argument për ekzistimin e Zotit. E themi të diturit sepse ata janë që studiojnë gjithësinë, të pa dukshmen e bëjnë të dukshme e të bukur. Nxjerrin e çpikin çdo gjë që për njeriun ishte e panjohur krejtësisht.
E shohim pra se si citati ka dhënë versionin e saktë të njerëzve të mirë e të drejtuar në besim, sepse e besojnë të fshehtën, shpirtin, botën tjetër dhe engjëjt shpalljet e mëparshme.
Ky citat ka demantuar plotësisht aspiratat dhe pretendimet e disave që rëndësi i japin simbolikave, veshjes, rrobës e formalitetit të ritit. Në realitet devotshmëria është të besosh të fshehtën dhe të fuqizosh të brendshmen, shpirtin, mendjen dhe realitetin në jetë.