Ndoshta disa do të thonë se kemi nevojë të vazhdueshme që dikush të na mësoj se çka është mirë dhe çfarë është keq. E mira dihet dhe tjetra apo e keqja dhe e liga janë të njohura për secilin njeri. Ndaj sot bota nuk ka shumë nevojë për miliona thirrës apo misionarë të shpjegimit rreth asaj se cila është e mira dhe cila vepër është jo e mirë.
Të gjithë njerëzit janë të veçuar me dhuratën e madhe të Zotit, mendjen e që është natyrshmëri e njeriut edhe pa shpjegues të dalloj të mirën nga e keqja.
Gënjeshtra, fyerja, ofendimi, cenimi i dinjitetit, nderit e sigurisë dhe pasurisë, janë gjëra që edhe pa shpjegues fetar mendja e njeriut në natyrshmëri i ka këto të ditura.
Po ashtu edhe në anën tjetër, mirësia, sinqeriteti, respekti, fjala e mirë, nderi e dashuria janë të njohura dhe të ditura për secilin.
Profesori i mirënjohur arab nga Egjipti Mustafa Mahmoud kur është pyetur në lidhje me këtë temë, u është përgjigjur: Ne nuk kemi nevojë si Egjipt, që të kemi miliona kuadro studiues të fesë për t ‘na treguar se cila është e mirë e cila jo e mirë, cila është e bardhë e cila është e zezë sepse këto gjëra janë të ditura për secilin, por ne kemi nevojë të luftojmë veten apo egon që na bën prej atyre që ndjekin të keqen. Shoqëritë kanë nevojë për ngritje të cilësisë së arsimimit, kulturës e mentalitetit të shëndoshë familjarë.
E rëndësishme për një besimtar është Besimi në Zotin, në ekzistimin e Tij dhe bindjen se Ai na sheh. Kur ne kemi këtë besim, patjetër se do të largohemi nga e keqja dhe vetvetiu do bëhemi të mirë e të kujdesshëm, pa pasur nevojë për një “kujdestarë” mbi kokë.
Ndaj ne themi që sot si kurrë më parë kemi nevojë për kuadro të shëndosha aktive me studime të larta akademike në fushën e shkencës, letërsisë, mjekësisë, sportit e kulturës si dhe segmente që shpien në konkurrencë me vendet progresive e të zhvilluara.