A jemi njerëz që shenjtërojmë tekstin apo përmbajtjen?
Teksti i gjendur në Kuran si i tërë, padyshim se është Fjalë e Zotit e të cilin e besojnë qindra miliona njerëz nga mbarë bota, por e nderojnë dhe e respektojnë edhe qindra miliona tjerë. Numri i njerëzve që e besojnë Kuranin arrin në shifrën rreth 1 miliardë e gjysmë njerëz. Kjo shifër është e nxjerrë nga statistikat e deklarimit të njerëzve me vullnet në atë se çfarë besojnë.
Fundja, besimi apo bindja është krejtësisht e panjohur për ne, dhe është vetëm në Dijen e Krijuesit.
Kurani i zbritur shekuj më parë të deleguarit Muhamed a.s., në përmbajtjen e tij ka sjellë norma, rregulla dhe udhëzime që janë gjenerale. Por, në përmbajtjen që ka sjellë edhe historikun e të kaluarës së njerëzve, profetëve të mëparshëm, ngjarjet e tyre me popujt dhe luftërat e zhvilluara, këto janë në kontekstin historik nga të cilat mund të nxirren mësime e jo dispozita.
Kurani është Libër që në kumtimin e tij do të thotë i lexuar shumë dhe që duhet lexuar, studiuar dhe të analizohet thellësisht. Këtë e bëjnë të diturit. Dijetarët janë ata që nxjerrin konkluzione në kohë dhe hapësirë. Konkluzionet nxirren duke pasur parasysh rregullat strikte të njohjes së gjuhës në të cilën zbriti Kurani. E këtë nuk mund ta bëjë kushdo dhe secili. Këtë e bëjnë të thelluarit në hulumtimin e terminologjisë Kuranore, ngjarjes dhe shkaqeve të asaj kohe.
Për fatin e keq, sot disa shenjtërues të tekstit e jo të përmbajtjes, marrin guximin me lehtësi të madhe për të “analizuar”pothuajse tërë Kuranin. Shenjtërimi i tekstit është bindja dhe besimi, kurse praktika kërkon shenjtërim të përmbajtjes apo objektivave humane dhe njerëzore që ngërthen në vete Kurani.
Disa shenjtërojnë tekstin, por aspak nuk kanë as njohurinë, e as nuk marrin guximin në thellimin racional të kuptimit të përmbajtjes. Kurani ka kërkuar besimtarë që dinë se çka besojnë. Besimi në Zotin është i suksesshëm atëherë kur kemi studiues të mirëfilltë dhe të kohës, të citateve apo përmbajtjes së Kuranit. Ne mund ta shenjtërojmë tekstin duke e besuar, por kjo nuk mjafton, sepse kërkohet përmbajtja, kuptimi i saj. Një njeri e pranon Kuranin si Fjalë të Zotit vetëm atëherë kur arrin të bindet me përmbajtjen që sjell Libri.
Ndaj, sot si asnjëherë më parë nevoja për një lexim të kohës dhe kuptimit apo përmbajtjes së Kuranit është më se e domosdoshme. Ne nuk mund të nxisim njerëzit duke u thënë; “Lexoni Kuranin!”, ndërsa në të njëjtën kohë dhe në mënyra të ndryshme u themi atyre: “Kuptoni si e kuptuan tjerët apo ata që ishin para nesh!”. Nuk ka asnjë mundësi që sot në rrugëtimin pas vdekjes së Muhamedit e deri në fundin e botës ne të lexojmë Kuranin, kurse kuptimin ta marrim me syrin e tjetrit. Gjithë e besojnë, por asnjëri nuk është i thirrur ta kuptojë si e ka kuptuar tjetri. Për të ikur nga kjo situatë na duhet rilexim i orientuar në kohë e hapësirë. Sot e lexojmë dhe e kuptojmë me syrin dhe mendjen tonë. S’është logjike t’i themi askujt: “Lexoje, por kuptoje si unë!”.
Fundja, Zoti i Madhërishëm gjykimin e njerëzve e bën varësisht aftësive të mendjes së secilit dhe askënd nuk e gjykon me trurin e tjetrit.
Teksti dhe përmbajtja për një besimtar janë të shenjta, por kuptimi, komentimi apo interpretimi nga kushdo nuk është i shenjtë.