Hiq dhe hiç

 
Hiq dilemat dhe nuk gabon hiç!
Fjala “hiq” është folje në mënyrën urdhërore: hiq maskën! Hiq kapelën!…
Pra, unë heq, ti heq, ai heq…, urdhërorja: hiq, hiqni!
Ndërsa fjala “hiç” përdoret herë si emër (nga hiçi në hiç), herë si ndajfolje (nuk shoh hiç), herë si përemër i pacaktuar (nuk ka hiç fare) dhe herë si mbiemër (ajo ishte një hiçe).
Që të dallohet kur përdoret si emër, kur si ndajfolje, kur si përemër i pacaktuar e kur si mbiemër, është e vështirë dhe punë gramatikanësh, por ne, kur kemi dilemën se a ta shkruajmë me q apo me ç, le ta mbajmë mend këtë:
Sa herë lidhet me kuptimin “asgjë”, shkruhet me “ç” (hiç). Ndërsa, kur lidhet me veprimin e heqjes, atëherë me “q” (hiq!).
Për çudi, fjala “hiç”, më shumë shkruhet gabim “hiq” sesa në trajtën e saktë drejtshkrimore “hiç”!
~Prof. Ilmi Rexhepi