Në njërën anë shkatërrojnë e në anën tjetër thonë: ishte sprovë nga Zoti

 

Shpeshherë njeriu në çështjet që janë në dorën dhe vullnetin e tij i kryen në kundërshtim me dëshirën Hyjnore, duke arsyetuar veprimin si vullnet dhe sprovë e Zotit. Ndoshta dhe mund të kemi keqkuptime rreth nocionit sprovë apo kjo ishte sprovë nga Zoti. Jeta e kësaj bote ka anën e saj të mirë por edhe vështirësitë e shumta me të cilat përballet njeriu. Por ajo që duam të shkruajmë në këtë opinion tonin është pyetja se a është vullnet i Zotit dhe sprovë e Tij që njerëzit të vriten, të dhunohen dhe të shtypen. Shohim vrasjet dhe terrorin që një grup fetar thirret në të drejtën e Zotit dhe lufton kundër një apo më shumë grupimeve tjera në emër të asaj se po mbrojmë Zotin dhe në rast të fatkeqësive të shumta që ndodhin, “fajin”për këtë i japin atyre që u thanë se është vullnet i Zotit apo se Zoti do të na sprovojë dhe ishte sprovë e Tij. A mund të themi se vrasjet e njerëzve, civilëve dhe fëmijëve e pleqëve janë sprovë dhe test I Zotit për shkallën e besimit të tyre?! Si mund të thuhet se fëmiu i vrarë në konfliktet midis grupimeve fetare të quhen sprovë e shkallës së besimit. Për çfarë niveli të besimit të fëmijëve mund të flitet, kur dihet se intelekti i fëmiut për Zotin është minimal.

Ndoshta edhe mund të thonë që nëpërmjet vrasjeve Zoti po na sprovon dhe pastron nga mëkatet. E për çfarë mëkatesh të flitet dhe të arsyetohet. Cili është mëkati i fëmiut në shkollë, i qytetarëve që janë në punë, rrugë, xhami, kishë, treg apo fusha sportive? Nuk mund të arsyetojmë vrasjen e tyre në emër të asaj se Zoti po na pastron nga mëkatet. Nga mëkati në shkatërrim dhe cenim i jetës së shenjtë të njeriut. Lideri i organizatës ALNUSRA pati thënë që ne nuk po fitojmë me armët tona, por Zoti është Ai që po na sjellë fitoren sepse lufta është vullnet i Tij. A dini se për çfarë fitoreje flet ky lider i terroristëve. Nëse është fitore mbytja e njerëzve në rrugë dhe vende tjera publike dhe kudo, kësaj nuk i thuhet fitore, por quhet krim dhe gjenocid. Nuk ka asnjë thirrje Kur’anore që për të qenë i dashur te Zoti duhet të jesh vrasës. Nga e sollën këtë formulë që arsyeton dhe legalizon cenimin e jetës së njerëzve. Asnjë njeri me intelekt nuk mund të thotë se lufta është vullnet i Zotit, ne themi se Paqeja është vullnet i Tij dhe duhet të punojmë për paqen. Fundja, njeriu që nuk ka kryer obligimet ndaj Zotit, është dëshirë e Zotit dhe vullnet i Tij se si të veproj ndaj tij.

Mos thoni se këto krime janë vullnet i Zotit sepse Zoti nuk pastron nga mëkatet nëpërmes krimit, por pastron ato pasiqë njeriu të jetë orientuar drejt paqes dhe mirëqenies së të gjithëve. Lereni njeriun të jetoj jetën e tij dhe të ndërtoj personalitetin, familjen dhe t’i shërbej vendit të vet, në harmoni dhe paqe me të gjithë.