A është sëmundja për jomuslimanin ndëshkim e për muslimanin pastrim nga mëkatet?
Një logjikë që tejkalon mentalitetin human dhe njerëzorë si dhe vlerat e njeriut si krijesë e Zotit. Ka disa që me mendjen e tyre të cektë, gjykojnë në gjëra që aspak nuk janë të natyrës reale, humane dhe njerëzore. Dy gjëra në këtë botë janë të rëndomta për njeriun në përgjithësi;
E para, sëmundja, që ka të bëj me secilin dhe mund të godasë çdonjërin nga ne, si dhe në fund të jetës Vdekja. Edhe sëmurja, edhe vdekja nuk ka të bëj aspak me një shtresë, një besim apo popull të caktuar.
Sëmundja dhe vdekja godasin secilin dhe këto aspak nuk ndërlidhen me të qenit pjesëtarë i këtij apo atij besimi.
Kjo botë në të cilën jetojmë, është e përkohshme dhe çdo qenie e gjallë do të shijoj të mirat, gëzimet dhe të arriturat, por, në të njëjtën kohë njerëzimi ballafaqohet edhe me vështirësi, mund e përpjekje, e sëmundje të ndryshme. Jeta është sprovë për secilin, përpjekje dhe angazhim si dhe djersë.
Gjatë këtij rrugëtimi ne ballafaqohemi me shumë të papritura dhe të padëshiruara, e të cilat janë sekrete dhe në dijen e Zotit të gjithësisë.
Të marrim shembull një njeri i cili gjatë tërë jetës së tij i ka shërbyer njerëzimit pa dallim besimi, duke bërë çpikje nga më të ndryshmet e të cilat janë përdorur nga të gjithë, pa diferencim. Në rastin e këtij, atë mund edhe ta godasë sëmundja. Nuk mund të themi në asnjë formë që sëmundja e tij është ndëshkim, kur dijmë që i sëmuri bënte mrekullira në tokë. Njeriu që i shërben njerëzimit me djersën, dijen dhe mundin e tij, ai nuk mund të jetë i ndëshkuar, vetëm pse ka besimin ndryshe. Po flasim për botën në të cilën jetojmë e assesi për botën tjetër e cila është e fshehtë dhe në vullnetin e Zotit. Në rastin tjetër, mund të kemi një person që ka shfaqur besimin e tij në Zotin, por përveç kësaj, ai, asgjë dhe me asnjë përpjekje nuk ka bërë hap drejt një të mire. Në rastin e sëmundjes së tij, ne nuk mund të themi se ky po sprovohet e ai tjetri po ndëshkohet. Drejtësia e të Madhit Zot, përfshinë mbarë njerëzit. Ndëshkimi, sprova dhe pastrimi nga mëkatet, nuk bëhet në këtë përcepcion, por ai është në forma të tjera. Njeriu në rast të gabimit ndaj Zotit, duhet të përmirësohet, qoftë i sëmurë qoftë I shëndoshë e në rast të padrejtësisë ndaj njeriut, ai duhet t’I rikthejë të drejtën atij që I është bërë padrejtësia.
Andaj, drejtësinë e përgjithshme, mëshirën e të Madhit Zot, mos e merr në kompetencë tënden, sepse nuk të takon.