NGA ÇKA KE FRIKË?

NGA ÇKA KE FRIKË?

“A mendon more najhere që ki me vdekë?” m’ka ra me dëgju shpesh nga njerezit këtë pyetje nga e cila mund ta lexoja atë frikën nga ajo që kuptohet si fundi. Frikën nga ai moment, nga e panjohura, nga misteri, nga…ajo matanë misterit.
Dmth. momentin e vdekjes si të tillë, njerëzit e mendojnë shpesh. Ani, nuk është keq me mendu këtë nganjëherë. Por ajo që nuk e mendojnë shpesh dhe nuk marrin masa në ketë drejtim, është mbramja e jetës, pleqnia. Nuk e mendojnë që nese kanë me pasë fatin/fatkeqesinë me u plakë, kush ka me qenë aty për ty? Kush ka me t’percjellë n’hapat e fundit deri në aktin final te dorëzimit të shpirtit? Sa ka me t’u rujtë dinjiteti yt prej njeriut deri në momentin nga i cili shumica kanë frikë?
Një gjë është shumë e sigurtë: ashtu si dashnia dhe ndihma që i duhen, për me u rritë, fëmijës të sapo ardhur n’këtë botë, njëjtë, për mos me thanë edhe ma shumë, kanë me t’u dashtë edhe n’vitet e fundit t’jetës për me mujtë me ecë edhe pak asaj rrugë që t‘ka mbetë deri n‘fund. Nuk e kalon dot vetëm, jo pa ndihmë e dashni. Fundja, nuk ka lidhje nga kush ofrohen ato, nga fëmijët (gjithnjë e ma rrallë) apo nga dikush që e ka profesion këtë punë.
E çka kur nuk vijnë nga askush? A e keni menduar ndonjëherë këtë? Fëmijët nuk kanë kohë për ty përveç se vijnë me t‘pa ndonjëherë ndërsa as shteti nuk ka mendu dhe nuk ofron ndonjë ndihmë n’këtë drejtim.
I/e lodhun, smutë, pa pare, pa ngrohtësi, pa shpresë, në një shoqëri me një egoizëm gjithnjë e ma të theksuar, ku do te jesh ti? Në një kohë lufte të tmerrshme për mbijetesë, ku e ke vendin ti?
Tu e pritë fundin.
A ke ende frikë nga fundi?! Nga vet vdekja?
Nuk ish dashtë me pasë, por ish dashtë me pasë frikë nga rruga deri aty. Nga vdekja për së gjalli. Frikë, që dikund afër fundit të asaj rruge nuk do të trajtohesh më dinjitetshëm, m’varesh nga të tjerët të cilët nuk e kanë shumë problem me cenu atë dinjitet ngase nuk e mendojnë që edhe ata një ditë kanë m’i ra asaj rruge.
Fundi? Frikë nga ai? Aspak.
Fundi ka me ardhë, nuk ka shpetuar kush deri tani.
Por me u largu dinjitetshëm, ashtu qysh ke jetu, është qellimi.
E me qenë afër dikujt ne hapat e fundit të tij, është njerëzore, është thjeshtë, madhështore.

Teuta Haxhijaj