Të rinjtë duhet të përqendrohen në rrugën e tyre se si të jenë ata që promovojnë vlera të dashurisë

 

Të rinjtë në të kaluarën kanë luajtur rol kyç, si në familje ashtu edhe në shoqëri. Një komb që ka rini të madhe e ka të ardhmen e bukur dhe të ndritur. Por ai komb duhet t’i krijoi hapësirë e rrethana atyre për të vepruar në fusha që dërgojnë në progres, zhvillim e paqe dhe dashuri.

Arsimimi, edukimi dhe vigjilenca, janë elemente që e bëjnë të riun të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për veten, familjen dhe shoqërinë. Një nga dukuritë e rrezikshme që sot ka kapluar botën është edhe radikalizmi dhe ekstremizmi fetar i dhunshëm. Ekstremizëm që nuk pranon mendimin ndryshe dhe që hap rrugën për dhunë e cenim të lirisë së njerëzve në tërësi.

Rrjetet sociale janë një nga faktorët që qarqe ekstremiste e kanë përdorur dhe vazhdojnë ta përdorin në shpëlarjen e trurit të rinjve, dhe jo ajo që thuhet në këto publikime të tyre është Islam. Islami thërret në paqe dhe e konsideron çdo jetë të njerëzve të shenjtë. Jeta, besimi, pasuria, mendja dhe e ardhmja e secilit janë të shenjta te Zoti. Rinia duhet të ketë parasysh këtë aspekt dhe tendencë për të tjetërsuar shenjtërinë e njeriut.

Të rinjtë duhet të përqendrohen në rrugën e tyre se si të jenë ata që promovojnë vlera të dashurisë, tolerancës e mirëkuptimit me të gjithë si dhe kjo arrihet vetëm me një mirëbesim dhe kërkim të dijes.