I mbrriva të 50’tat…
Të gjithë ma uruan këtë përvjetor të lindjes, tash në facebook data e lindjes po i paraqitet secilit, lehtë po është të shkruajnë urime e fjalë nga më të bukurat, pavarësisht nëse i ndjejnë ose jo me zemër…
I mbrriva të 50’tat dhe në torten e këtij përvjetori po shkruan urime gjyshe ditëlindja!
U bëra gjyshe!
Kam tri mbesa dhe një nip, dy djemtë e vajza e madhe është martuar, ndërsa vajza vogël akoma jo.
Ajo, dëshiron të mbarrojë studimet e ta ketë një jetë më ndryshe se sa veç të jetë e martuar e skllave e burrit siç i duket asaj se janë të martuarat.
Burri im, babi i saj, edhe aq se mbështet, shpesh i bën presion, shkojnë vitet e dikur s’të merr kush i thotë. Më dhimbset shumë. Sepse, do doja t’i thoshte ani bija ime, unë jam këtu për ty edhe nëse asnjëherë nuk dëshiron yë martohesh, unë jam këtu për ty edhe nëse do të gabosh në zgjedhjen e fatit tënd…por jo!
Mentaliteti i burrit tim është pak primitiv, për të e rëndësishme çka thonë njerëzit.
I mbrriva të 50’tat dhe sot pas plot 17 viteve burri më blejti një dhurat. Sepse, e fundit që më kishte blerë ishte një unazë argjendi kur kisha mbushur 33.
Kurrë më!
Deri sot…
Sot, që bashkë me dhuratën, kishte mbështjellë dhe një letër.
Mendoja, ka futur ca të holla ndoshta, por jo ishte vërtet një letër ku në brendi shkruante vetëm dy fjalë : më fal !
Po, po. Më fal dhe asgjë më shumë.
Fryva qirinjtë e ditēlindjes ashtu si e do zakoni, dhe pas ceremonisë shkova në dhomë.
Hapa dhuratat një nga një…e burrit ishte një unazë argjendi përsëri, njëjtë si ajo e fundit që më kishte dhuruar, vetëm se kësaj here në brendi të saj e kishte gravuar emrin e tij.
Qesha me budallakinë e tij.
E paska menduar veten adoleshentë dhe ndoshta me këtë veprim ka besuar se do të mashtrohem, si të isha prap 17 vjeçe, qysh më pati mashtruar në gjimnaz…
Hiç më shumë se 17 si kam pas, kur më pati bërë pēr vete me paraqitjen e tij.
I sjellshëm sa të duash e qe besa edhe diplomat nga goja sa të duash…
Isha nxënëse shembullore në gjimnaz, por sapo e përfundovavitin e fundit, në atë verë u fejuam.
Më premtoi se do të më lejonte të mbaroja fakultetin dhe pastaj do të bënim kunorën.
I besoja si e marrë.
Isha e re, s’mendoja më larg dhe edhe trëndafili me gjemba nuk më lëndonte as s’më shkaktonte dhimbje hiç.
Por, sapo kaloi viti i parë i fejesës sime, një mbrëmje cingërroi telefoni i shtëpise, se në atë kohë telefona xhepi nuk kishim dhe i vetmi komunikim ishte ai ose edhe letrat.
U lajmerua aga ( babi im ).
Ishte i fejuari im, Agimi, nga biseda e kuptova.
Vërejtja që agës i ndryshoi ngjyra e fytyrës por megjithatë gjithçka në telefon e pohonte.
E mbylli telefon dhe u ulë në fotelen, ku gjithmonë ulej dhe kërkoi t’ia ndërroja çajin se i ishte ftohur.
Agimi, dëshiron që pas dy javësh të bëni martesën, paska nënën e sëmurë dhe nuk ka kush kujdeset për të. Motra tij, i duhet t’i përkushtohet studimeve.
Po studimet e mia agë? – E pyeta me gjysmë zemre.
Ti, do të duhesh ti ndërpresh për një kohë, ashtu më tha, dhe unë nuk mund ta kundërshtoj sepse është çështje qē ju përket juve dhe Agimi më tha se për këtë jeni mirëkuptuar qysh më herët.
E ula kokën dhe duke më pikuar lotët shkova në dhomë.
Ai, kishte gënjyer agën sepse më kishte premtuar se do të mbaroja studimet dhe do të bëhesha edukatore.
Atë të diel, më kujtohet, edhe fustanin e bardhë edhe dukatind e huazuar më kishin sjellë…
E dija se nuk i kishin mundësitë, por të paktën për martesë shpresoja pajën qysh kisha ëndërruar ta kisha edhe ta kem.
Sa shpejt kaluan vitet prej atëherë dhe sot po festoj ditëlindjen e 50’të e në dorë kam letrën e tij, që ka të shkruar vetëm dy fjalë : Më fal.
A thua, më fal, për cilën pjesë të jetës të kaluar bashkë?
Pjesën kur më premtoi shkollën dhe më burgosi në shtëpi?
Ose pjesën kur i përgjërohesha të shkoj te nana ime dhe ai më detyronte të kujdesesha për nanën e tij, edhepse ishte në gjendje të mirë shëndetësore sa te kujdesej vet për veten e saj të paktën një natë ose dy, por jo, ajo ishte nëna e tij.
Ose ndoshta më kërkon falje për secilën herë që më ka goditur sa herë që nuk e ka pas me të drejtë dhe unë e kam kundërshtuar.
I tillë ishte dhe në atë mënyrë e tregone burrërinë e tij, ashtu edhe merrte mbështetje nga nëna e tij, e cila i thoshte se nëse do të të respektojë gruaja duhet t’ia ulësh kokën me dajak, ashtu ka vepruar edhe babi yt dhe më shih sot mua, nuk ka në fshat grua më të përmendur se unë për të urtë.
Kujdesesha për të gjithë ditën më shumë se vajza e saj dhe në vend se të më mbronte para dhunës që djali i saj ushtronte mbi mua, ajo veç me shumë nxitje i jepte.
Eh, femrat e shkreta, mendoja me vete.
I lënë të gjitha, madje edhe ëndrrat e veta pa realizuar dhe martohen, e shih çfarë jete bëjnë, njëjtë si të ishin skllave.
Te prindërit shkoja rrallë, mërziteshin, por ky kur më dërgonte dinte politikë dhe i thoshte se unë doja të kujdesesha për nënën e tij dhe s’doja të shkoja te ta, që edhe tjerët mos të më merrnin në sy për të keq.
Nuk e mohoja, më dhimbsej aga, sepse i kishte mbushur të 60’tat dhe i ishte paraqitur tensioni e sheqeri, s’doja t’i bëhesha edhe unë barrë.
Të tillë e kisha fatin, atë fat që vet e zgjodha.
Atë fat që dikur mezi priste të më takonte dhe sot që më kishte në shtëpi i isha mërzitur.
Po, po atë fat që për një fustan mi nxirrte flokët më rrënjë dhe për një buzëkuq fytyrën ma bënte të mavijosur.
Kujt po i rregullohesh më akuzonte…
Sot, që kam mbushur të 50’tat flokët më i kam thuajse si një burrë, të shkurtëra, qysh qe 15 vite më as qafën se mbuloj me flokë, sepse s’dua të ketë mjaftueshëm për të mi nxjerrë…
Sot, më thotë më fal me një letër të bardhë, por se di për cilën pjesë t’i them se nuk e fal, dhe sot nëse ende mbaj mbiemrin e tij mbaj për hatër të fëmijëve.
Sot, edhe unë jam shembull, si vjehrra ime e ndjerë, jam e urtë edhe e përmendur në fshat, por asnjë se di se kjo për shkak të secilës shuplakë të tij që nuk kam arritur ta ndalë e të kërkoj mbrojte.
Sot, mbesa më pyet, prej nga e kam një të gërvishtur në faqe, dhe i them se po me atë shenjë më ka krijuar Zoti, sepse nuk dua që për shkak të gjyshit ajo t’i urrejë të gjithë meshkujt, se ndoshta ka ndonjë të mirë, tash që kanë ndryshuar kohërat dhe ndoshta s’janë krejt si Agimi, që me pirun në kohën e drekës ta shpojnë gruan veç pse dreka ishte me më shumë kripë.
Sot, s’të fal burri im!
Sot, kur djemtë e mi detyrohen të mbajnë ndrrime shtesë në punë për të mi mbuluar shpenzimet e terapioneve të sëmundjes që ti ma shkaktove, sot s’të fal.
Dhe të jesh i bindur që as fëmijët s’do të falin nëse do të mbanin mend secilën ditë që ti ke ushtruar dhunë mbi mua.
Me çka kishe në dorë më gjuaje…
Sot, s’të fal sepse ti nuk e meriton falje time dhe sot sikur të më mjaftonte fuqia, të jesh i bindur që në mes të sheshit në litar do ta virrja kokën tënde për secilën herë që nuk kam arritur ta bëj sa isha e re.
Sot, po festoj ditëlindjen e 50’të.
Me rrudha në fytyrë, me flokë të zbardhura dhe më duket se njëqind vjet kam jetuar, ani pse mbesat e nipat më marrin shembull si një shpirt fëmije, unë falë teje jam një e vdekur që frymon.
Sot, s’të fal dhe asnjë mos ta fal dhunën e asnjërit.