Njeriu është krijesa e vetme në sipërfaqen tokës që është pajisur me forcën e intelektit, të logjikës. Asnjë gjallesë tjetër në planetin Tokë dhe me gjerë, të paktën deri më tani, nuk është konfirmuar shkencërisht se posedon arsye, përmes së cilës gjykon dhe dallon të mirën dhe të keqen, ose që mund të bëjë ndonjë planifikim paraprak afatshkurtër apo afatgjatë.
Gjallesat e tjera, përveç njeriut, veprojnë dhe reagojnë në bazë të instinktit, momentit dhe rastit. Kjo divergjencë, apo ky dallim i joni nga bota e gjallë, është dhunti e Krijuesit tonë, Zotit të Madhëruar, i Cili që në momentin e parë të krijimit na veçoi me këtë cilësi dhe dhunti të lartë. Njeriu është e vetmja gjallesë në botë që komunikon me fjalë dhe me shkrim, dhe e vetmja që merr pendën në dorë për të evidentuar mendimet, zbulimet dhe të arriturat e ndryshme të tij.
Fuqia e të menduarit, përsëritjes, meditimit dhe studimit e ka bërë atë që të flasë si dhe të formulojë fjalë e fjali për t’u kuptuar e për të komunikuar me të tjerët. Një privilegj dhe përparësi kaq e madhe që iu dha njeriut nga Krijuesi ynë, megjithatë nuk është lënë krejtësisht pa përgjegjësi