A ËSHTË E SHËNDETSHME QË FËMIJËT TË “FLASIN ME VETE” ?

Nga Lorela Garuli, psikologe

Sa i përket të folurit me vete në fëmijërinë e hershme, nga profesionistët përkatës që punojnë me fëmijët, konsiderohet se prej moshës 3 e deri afërsisht në 7/8 vjec fëmijët mund të ndodhë që të flasin shpesh me vete kur luajnë apo zhvillojnë aktivitete të tjera vetëm. Sipas studiuesve, kjo është një mënyrë të foluri privat, personal dhe shpreh papjekurinë e fëmijës i cili në këtë moshë e sheh botën në mënyrë shumë egocentrike, por nga ana tjetër të folurit me veten konsiderohet edhe një instrument i mirë me anë të të cilit fëmija zhvillon komunikimin dhe më tej aftësitë sociale.
Këto shprehje, përjetimë, ide, biseda që fëmija i bën me veten me zë të lartë, më tej me rritjen dhe zhvillimin e tij kognitiv dhe intelektual, brendësohen dhe kthehen në mendimet e brendshme, ashtu sic ndodh me gjithë të rriturit.

Kështu që, sipas këtij këndvështrimi, nuk ka asgjë të madhe për t’u shqetësuar se pse fëmija flet me veten në momente të caktuara. Përkundrazi pra, ato do të ndihmojnë për të zhvilluar më tej zhvillimin e komunikimit të tij dhe aftësitë e ndërveprimit social.

Kjo do të thotë gjithashtu edhe se kur vëmë re se fëmija po zhvillon këtë lloj dialogu me veten, nuk është e përshtatshme apo e këshillueshme t’i bërtasim, kritikojmë apo ta urdhërojmë të mos e bëjë më, por me shumë takt dhe kujdes mund t’i tërheqim pak vëmendjen. Nuk duhet harruar gjithashtu, se në këtë moshë fëmijët kanë atë që quhet loja imagjinare, ku është shumë e pranishme fantazia dhe imagjinata në lojërat që ata luajnë dhe në atë që ata tregojnë. Imagjinata, loja dhe argëtimi janë nga mënyrat kryesore me anë të të cilave fëmijët mësojnë dhe rriten.

Sa u shpjegua më lart, janë parime të përgjithshme të rritjes dhe zhvillimit të fëmijës; cfarë fëmija thotë pastaj, është një tjetër cështje. Nëse përmbajtja e asaj që fëmija flet me vete është shqetësuese, atëherë mund të jetë rasti për t’u merakosur dhe për të kërkuar takim me profesionistin përkatës. Në të kundërt, e gjithë kjo mund të vlerësohet si një pjesë e zhvillimit normal të zakonshëm