Luigj Gurakuqi (Shkodër, 20 shkurt 1879 – Bari, 2 mars 1925) qe veprimtar i çështjes kombëtare, radhitës dhe nënshkrues i dokumentit të shpalljes së pavarësisë, njeri i letrave, arsimtar dhe personazh i politikës shqiptare çerekun e parë të shekullit 20.
Është një nga personalitetet më të shquara të levizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë duke përjetuar ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit tonë në shumicën e të cilave në mos organizator, qe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë.
Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës u zgjodh Ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza. Merr pjesë në Konferencën e Londrës më 1913, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin.
Me Luftën I Botërore Shkodra pushtohet nga ushtria malazeze, Gurakuqi u internua në Podgoricë nga 17 korriku 1915 deri në janar 1916. Gjatë pushtimit austro-hungarez, u caktua drejtor i përgjithshëm i Arsimit nga autoritetet e tyre. Qe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916, i çmuar nga akademiku Radomir Nachtingall.[4]
Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Durrësit ku përfaqësoi Shkodrën dhe Mirditën, u emërua zëvendës i dr. Turtullit në ministrinë e Arsimit të kabinetit Përmeti. Që në mbledhjen e parë të Kongresit, më 1918, L.Gurakuqi “âsht kundër që në një mbledhje kombëtare të përmenden fjalët toskë e gegë dhe të krishtenë e mysliman“, kërkon që fjalë të tilla të jenë të ndaluara dhe shton se “…çështja e lirisë dhe e nderimit të feve në Shqipni duhet të zgjidhet mbas formulës: “Feja e lirë në shtet të lirë”.[11] I ngarkuar nga kjo qeveri si anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris ku qendroi 15 muaj.[4] Çdo shkresë e përdorur nga delegacioni u shkrua nga duart e tij e të Mustafa Merlikës.[12]
marre nga WIKIPEDIA