Lumturimi që na zgjon kujtimet


Lumturimi që na zgjon kujtimet

“Fëmija që i lumturohet këpucëve të reja”, është një foto legjendare, e cila ka udhëtuar në kohë për të na gërvishtur cipën e hollë të kujtimeve, të asaj të shkuare, që i gëzoheshim diçkaje më një forcë shpërthyese përjetimi, e tillë sa mbetet ende sot gjurmë drite në kujtesën e viteve.

Fotoja, “Fëmija që i lumturohet këpucëve të reja”, evokon periudhën pasluftës së Dytë Botërore, kur austriaku 6-vjeçar, Hans Werfel jetonte në një jetimore. Foto është realizuar nga Gerald Waller, dhe publikuar në revistën LIFE më 30 dhjetor 1946 (faqe 22).

Pothuajse pesë vjet më vonë, më 24 shtator 1951 (faqe 180), e njëjta fotografi u rishfaq në LIFE falë një lexuesi, i cili i shkruan revistës se ky është Werfel, një jetim austriak 6-vjeçar, duke përqafuar një palë këpucë të reja dhuruar nga misionarët e Kryqit të Kuq Amerikan, veprimtaria e së cilës shtrihej në një pjesë të konsiderueshme të vendeve të goditura nga Lufta e Dytë Botërore.

Sa herë që e shikon këtë foto, është një emocion i veçantë që të pushton, një përzierje e përmallimit, dhimbjes së kujtimeve dhe një lumturimi sipëror, tejet i dritshëm, sepse askush nuk do të lumturohet çiltërsisht dhe me një forcë qiellore sa një fëmijë.
Sot kemi pak, fare pak momente të tilla fatlume, kur ky diell lumturimi të na mbështjellë me rrezatimin e vet, si një brerore shenjtërimi. Kjo jo sepse ka vdekur fëmija brenda nesh, por sepse kemi mësuar të harrojmë kohën kur i gëzoheshim këtyre çasteve. Sa e trishtueshme ishte varfëria, por sa të bukur ishin ato momente, kur jeta jonë mëkohej nga një dritë e tillë lumturimi.

Edhe pse dua ende ti gëzohem këtij çasti, shpirti im e ka të pamundur ta ndez atë kandil flakëpakët, drita e të cilit të na i bashkojë skajet e kohës në një përplasje përjetimi.

Albert Vataj