Bashkëjetesa paqësore mes njerëzve sipas mësimeve islame
Njerëzit, që kur i njeh historia ishin të ndarë në etni racore, linguistike, por edhe në bindje fetare, të cilat i kanë kultivuar përgjatë historisë, një realitet ky i pamohueshëm i konfigurimit të gjithë botës njerëzore në tokë.
Në burimet e hershme të librave të shenjtë, përfshirë edhe Kuranin, njeriu shihet si krijesa më dashur e Zotit, e cila është gjetur për të mbajtur rendin dhe rregullin mbi tokë.
Ndërsa, sipas pikëpamjeve islame, Zoti shihet si një Krijues i përbashkët i gjithë njerëzve, si dhe si një burim i vetëm i profetëve dhe i librave të shenjta.
Prandaj, pikërisht kjo është edhe arsyeja se, pse besimtarët Islam janë të thirrur që të besojnë në të gjithë profetët e Zotit, të cilët janë të përmendur në librin e tyre të shenjtë Kuranin, dhe të tjerët të ngjashëm që janë përmendur në librat e mëhershme qiellore si, Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re. Mohimi vetëm i njërit prej tyre, në mësimet islame konsiderohet si devijim dhe çalim nga mesazhi i përgjithshëm kuranor.
Kjo është një platformë e gjerë, përmes së cilës popujt e feve të ndryshme mund të takohen së bashku në respektimin e ideve dhe besimeve të tjera, si dhe të veprimit të përbashkët në shërbim të shoqërisë njerëzore.
Bindjet e ndryshme fetare të lidhura me Zotin lartë, nuk duhet të na pengojnë në kultivimin e jetës tonë paqësore në tokë.
Gjykimi absolut për besimin e drejtë apo mosbesimin e drejtë të njeriut i takon Krijuesit të tij. Sepse, sikur të kishte dashur Zoti, të gjithë njerëzit në botë do t`i bënte një komunitet të vetëm fetar. Kurani tregon se ka pasur më shumë se një të dërguar dhe më shumë se një libër të shpallur nga Zoti. Thirrja kuranore për t`i besuar të gjithë profetët si të përzgjedhurit e Zotit, të cilët u dalluan për të përçuar mesazhe qiellore në tokë, në mënyrë eksplicite përmendet në Kuran: “I dërguari (Muhamedi) i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi All-llahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij, dhe thanë: Iu përgjigjëm thirrjes dhe respektuam urdhrin. Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë”. (El-Bekare: 285). Ky citat kuranor tregon qartë se, bota njerëzore që herët ka pasur misione pejgamberike dhe profetike, dhe se të gjithë pjegamberët ishin frymëzuar nga një Zot i vetëm, por që njerëzit u ndan vet në formën e pranimit dhe në formën e perceptimit të mesazhit të Tij.
Islami i vijës së saktë të interpretimit, gjithmonë thërret në trajtimin e mirë dhe korrekt ndaj të gjithë atyre të cilët nuk ndajnë bindjen e njëjtë në besimin në Zot. Në këtë drejtim mësimet e tij kërkojnë respekt, tolerancë dhe sjellje njerëzore, si virtyte këto të cilat ndërtojnë jetën dhe paqen e qëndrueshme mes njerëzve. Njeriu nuk mundet dhe nuk guxon që të shtyhet me forcë apo dhunë për të besuar në një formë të caktuar të besimit, por as edhe të urrehet e të luftohet për faktin se, ai ose ajo, nuk ndanë të njëjtën rrugë të besimit në Zot me ne !: “Nuk ka dhunë në fe….” ( el-Bekar:257).
Gjeneza e përbashkët ademike
Mësimet kuranore, e njohin dhe e respekton gjenezën ademike, e cila është e theksuar pranuar tek të gjitha besimet e mëdha monoteiste. Gjeneza ademike, në mësimet fetare monoteiste e njeh Ademin- Adamin dhe Havan- Even si zanafillën e parë të krijesës njeri mbi tokë. Kjo gjenezë e parë tregon se, njeriu kudo që është, është njeri, dhe se ai njihet vetëm përmes këtij emri; pa dallim race, ngjyre apo feje:
“O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Zoti më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër e ka hatrin e Zotit. Zoti është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”, (el-Huxhurat:13).
Nga këtu nënkuptohet se, luftimi i njeriut “Në emër të Zotit” njëkohësisht nënkupton edhe luftimin e vullnetit të Zotit për krijesën NJERI. Njeriu kudo që frymon në sipërfaqen e tokës, ka një emër të përbashkët. Ndryshe, edhe sipas studimeve shkencore bashkëkohore, përbërja e qelizave të gjakut si dhe funksionimi i tyre në trupin e njeriut, është i njëjtë deri në masën 99.9%.
Kështu që, duke e pasur gjithmonë në konsideratë se, ne kemi një gjenezë të përbashkët nga Zoti, të cilit i besojmë, atëherë edhe respekti dhe dashuria për njëri tjetrin, pavarësisht përcaktimit fetar, është më e madhe, sepse ta duash njeriun, do të thotë ta duash edhe Zotin i cili e krijoj atë të pastër dhe pa një edukim të caktuar paraprak fetar.
Sjellja e mirë dhe trajtimi korrekt i gjithë njerëzve pa dallim
Në këshillat dhe interpretimet e drejta dhe të sakta islame, besimtarëve u kërkohet që të shmangin dhunën dhe mizorinë ndaj njerëzve, si dhe kurdo që flasin, por edhe më këdo që flasin, bisedën dhe qasjen e tyre, ta bëjnë vetëm me urtësi, mirësi dhe respekt.
“Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase Zoti të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemëroftë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti fali ata dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Zotin, sepse Zoti i do ata që i mbështeten Atij!”. (Al-Imran: 159)
Edhe vet i dërguari Muhammed, në lidhje me këtë, në njërën prej thënieve të tij kishte nënvizuar disa koncepte të dhembshurisë dhe butësisë, të cilat janë edhe sot kyçe në shërbim të ruajtjes së respektit, dashurisë dhe harmonisë mes njerëzve:
“Mëshira e Zotit u takon atyre që kanë mëshirë ndaj tjetrit, dhe atyre që janë të mëshirshëm ndaj krijesave të Zotit në tokë, në përgjithësi. Kush është i mëshirshëm në tokë, ai do të mëshirohet nga Ai që është në lartë”!
Gjithashtu, në ajkën e këshillave dhe porosive të sakta fetare islame, luftimi i civilëve dhe të pafajshmëve, vrasja në pabesi, uzurpimi i pronave të tyre, sulmi ndaj fëmijëve në prehrin e nënave të tyre, vrasja e nxënësve dhe studentëve në shkolla, vrasja e plakave dhe pleqve, shihet dhe gjykohet si veprim kriminal dhe rreptësishtë i ndaluar.
Ndryshe, sulmi ndaj jetës së njerëzve sipas Kuranit, është cilësuar si i barabartë me sulmin e të drejtës së gjithë njerëzve për të jetuar. Ky veprim konsiderohet edhe ndër mëkatet më të rënda.
“….. kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa e mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit e botës. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit e botës”. (El-Maide; 32)
Së këndejmi, nga gjithë kjo që u tha më lartë mund të thuhet se, Zoti është i të gjithëve, kurse dijen absolute për Të, njeriu nuk mund ta di e as ta arrijë asnjëherë. Prandaj, është e rrugës që gjithmonë, besimin në Zot ta kultivojmë me dashuri dhe respekt për njërin tjetrin, të punojmë, bashkëpunojmë dhe të solidarizohemi për interesin e përgjithshëm dhe të përbashkët, pa paragjykuar paraprakisht tjetrin se, çfarë forme të besimit e ka të ngulitur në zemrën dhe shpirtin e tij, e të cilat, si dy organe të brendshme të çdo njeriu, nga Krijuesi edhe ashtu janë projektuar në atë formë që të mbesin përherë të padukshme për syrin tonë.
Prof. Dr. Xhabir Hamiti