ADHURIM APO PRAKTIKIM

 
Dijetarët e thelluar në studimin e Kur’anit janë ballafaquar edhe me paraqitjen e mendimeve të tyre rreth asaj se si duhet t’i qasemi teksteve Kur’anore. A është çdo herë konteksti tekstual obligativ apo ka diqka që quhet alegori e thellë Kur’anore.. Ebu Ubajd bin Almathna i cili ka vdekur në vitin 203 sipas kalendarit Islam, ka shkruar në kohë dhe me kohë më rreth asaj se a është Kur’ani më tepër alegorik apo vetëm tekstual. Ai kishte themeluar shkollën e tij që mirrej ekskluzivisht me çështjen gjuhësore dhe alegorinë e Kur’anit si dhe në kuptimin e tekstit saktësisht. Jo çdo herë teksti sipërfaqësorë paraqet objektivin e kërkuar, sipas tij, dhe kjo është më se e vërtetë. Poqese citatet apo teksti Kur’anor shikohen pikësëpari nga rrafshi gjuhësorë (arab), atëherë përfundimi dhe objektivi i tekstit jep vlerësim dhe dispozitë krejtësisht ndryshe nga ajo që shpërfaqet tekstualisht dhe pa shikuar anën alegorike të Kur’anit Fisnik. Citatet e Kur’anit apo tekstet e tij sipërfaqësore nuk janë objektiv dhe synim final, prapa teksteve ka diqka dhe më shumë nga urtësia, dhe synimet e larta. Konceptet sipërfaqësore kanë bërë që shumë njerëz t’i qasen gabimisht mësimeve të Zotit, duke iu shmangur synimeve dhe objektivave. Si i tillë çfarë edhe ka zbritur, besojmë që është Fjalë e Krijuesit, por nuk mbështetemi shumë në anën sipërfaqësore të tekstit,komentimit dhe interpretimit. Nëse nuk i qasemi gjuhësisht dhe duke mos pasur si objektiv të parë anën gjuhësore të tij, atëherë dalin botëkuptime të ngurta, të paqarta dhe nganjëherë edhe me imazhe negative. Praktikimi i tij duke anashkaluar shpjegimin e thellë gjuhësorë të secilit citat apo tekst, na bën që të jemi dhe të dukemi vetëm adhurues e jo praktikues.
Logjika sipërfaqësore na bën që shumëqka të duket logjikë ndaluese-haram, nganjëherë dhe teksti nuk ka qëllim ndalimin por ka kuptimin e gjithëanshëm mbështetur në gjuhën, aktualitetin dhe rrethanat.
Dijetarët si Ibn Tejmijje, BinBaz, ibn Uthajmin të shquar në ideologjinë e tyre të ngurtë “selefite saudiane” mohuan si tërësi konceptin gjuhësorë dhe alegorik të teksteve të Kur’anit dhe kjo bëri paqartësi të mëdha në shumë fetva-qëndrime fetare të tyre që shkaktuan huti në vendin e tyre dhe më gjerë. Këta gabuan rëndë kur citatet apo tekstet në lidhje me cilësitë e Zotit që përmend Kur’ani si Jed-dorë, arshi-froni, ajn-syri etj, duke mos pasur parasysh anën alegorike dhe gjuhësore ata i dhanë Zotit cilësi dhe atribute të krijesave. Poqese shikohet me kujdes fjalor i pasur i gjuhës arabe atëherë teksti sipërfaqësisht nuk ka qëllimin e përmendur nga të ashtuquajturit selefist. Në gjuhën arabe dora ka edhe kuptimin e forcës, arshi ka kuptimin e mbizotërimit të gjithësisë, syri është me kuptim të përkujdesit. Ne na ndodhë në përditshmërinë tonë të t’i themi ndokujt: Në dorën tënde e që i bie në forcën apo autoritetin tënd.
Andaj nëse duam të jemi vetëm adhurues të Kur’anit e jo praktikues, atëherë ne jemi prej atyre që e adhurojmë por nuk e kuptojmë dhe mos kuptimi na bën të jemi jo praktikues të drejt. Kur’ani besohet, praktikohet dhe kuptohet, konformë kontekstit kohor dhe historik, ndërsa adhurimi i takon Zotit.