Nga rrëfimet, përfitohet mësimi për popujt e mëparshëm por nuk na japin ndonjë dispozitë dhe rregull obligativ që duhet të ndiqet.

Kurani, Fjalë e Zotit që i zbriti të dërguarit të Tij, Muhamedit a.s, përveç që flet dhe urdhëron në tema të caktuara dhe të lejuara si dhe ndalesa flet edhe për të kaluarën e popujve, duke sjellë rrëfime të profetëve, popujve të tyre si dhe ngjarje të së kaluarës. Kapitujt dhe citatet e Kuranit që flasin mbi rregullat e riteve, të adhurimit dhe jetës, na sjellë në shumë raste dhe rrëfime të profetëve, të popujve dhe individëve pa specifikuar emra.

Por ajo që është me rëndësi të dihet është fakti që rrëfimet mbi popujt e kaluar, nuk kanë synim nxjerrjen e dispozitave, sepse nga veprimet e popujve nuk mund të nxirren dispozita apo urdhëresa, por rrëfimet sjellin mësime dhe përfitim nga ngjarjet e tyre. Nga rrëfimet, përfitohet mësimi sesi disa popuj duruan dhe qëndruan në rrethana të ndryshme dhe assesi këto rrëfime nuk na japin ndonjë dispozitë dhe rregull obligativ që duhet të ndiqet.

E të mos flasim shumë rreth tregimeve anonime që transmetohen nga njerëzit me thëniet: është thënë, thuhet, ka thënë dhe kanë thënë, apo se si rrëfehet ndonjë tregim krejt absurd nga shpikjet që disa bëjnë për tregimet. Të jemi objektiv me njerëzit kur sqarojmë mbi rrëfimet dhe tregimet Kur’anore dhe të shmangemi gjithsesi nga ajo që flitet se në një kohë apo në një zeman ishte apo thuhej kështu e ashtu. Tregimet Kur’anore janë ngjarje të sakta dhe të vërteta e të cilat i besojmë, por nga këto tregime nxjerrim mësime por jo edhe dispozita. Sot disa me dashje dhe pa dashje rrëfejnë ngjarje anonime të kohërave që as vet nuk saktësohen dhe as emra që janë akterë të atyre rrëfimeve. Por më e keqja bëhet kur edhe nga këto imponojnë jo tregimin por dispozitën. Kaq, rrëfimet nuk janë dispozita.