Në botë mund ta ndjesh veten si në shtëpi vetëm duke punuar.

Të gjitha krijesat në gjithësi janë në lëvizje e sipër. Secila krijesë ka sistemin e vet të lëvizjes. Zaten, lëvizja e sistemuar dhe e rregulluar është veçoria më e dukshme që tregon se ato janë krijesa dhe ekzistojnë.

S’ka dyshim se kjo e vërtetë është një sistem, një rregull pune shumë kuptimplotë të cilin Zoti xh. sh. e ka vënë në gjithësi dhe të cilit duhet t ’ i përmbahen të gjitha krijesat.

Njeriu duhet të jetë një qenie që lëviz akoma më shpejtë. Sepse atij aspak nuk i ka hije dembellëku. Në fakt, për të qenë njeriu i pavarur prej të tjerëve dhe për të jetuar një jetë të denjë e me nder, ai duhet të punojë. Po edhe Kur ’ ani famëlartë na tregon se si njeriu nuk mund të fitojë gjë pa punuar dhe se rezultatin e punës së tij do ta shohim edhe në këtë po edhe në botën tjetër:

“Askush nuk e bart barrën e (mëkatit) tjetrit. Dhe njeriut nuk i takon gjë tjetër, pos asaj që ka punuar”, (en-Nexhm:38-39).

Jeta e kësaj bote është një sprovim për njeriun. Për këtë arsye dhe Zoti e ka obliguar njeriun që ta njohë dhe adhurojë Krijuesin e vet si dhe të punojë për përmirësimin dhe rikonstruimin e sipërfaqes së tokës me qëllim që t’i mbulojë nevojat e veta materiale dhe shpirtërore. E gjithë kjo arrihet me anë të punës. Pikërisht për këtë arsye, feja jonë Islame na urdhëron që punën dhe fitimin tonë ta sigurojmë nëpërmjet mundit dhe fuqisë së duarve tona, na ka bërë farz që gjithnjë të fitojmë atë që është hallall (e lejuar sipas fesë) dhe na njofton se çdo vështirësi që do ta përjetojmë gjatë punës do të jetë shlyerje dhe falje për disa mëkate (gjynahe). Nga ana tjetër, Islami nuk e ka lejuar që muslimani i fortë dhe i aftë për punë të sillet dembel e të mbështetet në mundin e të tjerëve. Pejgamberi a. s. lidhur me këtë ka thënë:

“Më mirë për ju është që (nëse keni nevojë) ta merrni litarin e të dilni në mal, të mblidhni ca dru, t’i bartni në shpinë e t ’ i shisni, sesa të lypni (ta shtrini dorën) prej të tjerëve “.