FJALA SHQIPE NË VEND TË FJALËS SË HUAJ

Një ndër detyrat parësore të gjuhësisë shqiptare, krahas kërkimeve teorike është dhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrës vetjake dhe pastrami i saj prej masës së fjalëve të huaja që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona.
Sot, jemi dëshmitarë që çdo ditë e më tepër po shtohen fjalë e shprehje të huaja në shkrimet shkencore dhe letrare, në shtyp, në radio, në televizion, në fjalime parlamentare, në shkolla e biseda të përditshme. Shih për këtë më poshtë do t’i regjistrojmë një vistër fjalësh dhe fjalishë, të cilat kanë vërshuar në këtë kohë demokracie gjuhën tonë, duke u ngulitur në gjuhë, kur ato mund t’i zëvendësojmë me fjalë e shprehje tona.
P.sh.:
Abonues ….. për pajtimtarë, nënshkrues;
Abrogim ….. për shfuqizim;
Abuzoj ….. për teproj;
Adaptoj …. për përshtat;
Aderoj ….. për përkrah;
Alternim … për ndërrim, ndryshim;
Amnestoj … për falje;
Anemik …. për pagjakësi;
Apel …. për thirrje;
Atashe … për i ngarkuar;
Audiencë … për prani;
Auditor … për mbikëqyrës, kontroll;
Azil …… për strehues;
Balotazh … për përballje, rivotim;
Blof …….. për mashtrim;
Bos ….. për i pasur, pasanik;
Brutal … për i egër, i vrazhdë;
Ceremoni … për solemnitet;
Debutim …. për fillim, premierë;
Decidiv …. për i prerë;
Defekt …. për prishje;
Demantoj …. për përgënjeshtroj;
Denoncim … për kallëzim;
Depozitoj …. për ruaj;
Derbi …. për ndeshje;
Devalvim …. për zhvlerësim;
Divergjencë … për dallim;
Draft …. për plan, projekt;
Ekspansion … për shtrirje;
Eksperiencë … për përvojë;
Eksplicit …. për i qartë, i saktë;
Eksproprijim … për shpronësim;
Ekuivalencë … për barasvlerë;
Ekzakt ……… për i saktë;
Ekzagjerim …. për zmadhim;
Elaborat …. për projekt;
Eminent …. për i shquar, i njohur;
Eveniment …. për ngjarje, ndodhi;
Falimentim …. për dështim;
Global ….. për i përgjithshëm;
Hendikep …. për mungesë;
Impakt ……. për mbështetje;
Imunitet ….. për i paprekshëm;
Inaugurim ….. për përurim;
Influencë ….. për ndikim;
Inkasim …… për arkëtim; etj. etj.
Të gjitha këto fjalë e shprehje fjalësh në të folur a në të shkruar i ndeshim si vijon, p.sh.:
• Kuvendi ka ,,abroguar” ligjin… Në vend që: Kuvendi ka ,,shfuqizuar” ligjin.
• Ju bëjmë ,,apel” ta respektojmë Kushtetutën tonë. Në vend që: ju ,,thërrasim”…;
• Raporti i ,,auditorit” qendror … Në vend që: Raporti i ,,mbikëqyrësit apo i kontrollit”.
• Ai ka kërkuar ,,azil” jashtë shtetit…. Në vend që: ka kërkuar ,,strehim”…;
• Fitoi në ,,balotazh”… Në vend që: … në ,,rivotim”…;
• Behgjet Pacolli është ,,bos”. Në vend që: B. Pacolli është ,,i pasur apo pasanik”.
• ,,Ceremonia” qendrore e epopesë…. Në vend që: ,,Solemniteti” qendor …;
• I bëri ,,denoncim” në gjykatë. Në vend që: I bëri ,,kallëzim” në gjykatë.
• Kryeparlamentari ka ,,konvokuar” mbledhjen për …; Në vend që: ka ,,thirrur” …;
• Ligji në mënyrë ,,decidive” shkruan… Në vend që: Në mënyrë ,,të prerë”…;
• ,,Draftbuxheti” 2023. Në vend që: ,,Projektbuxheti” 2023.
Prandaj nga e gjitha këto që u shtruan më lart, do të ishte mirë që nxënësit, studentët, intelektualët në përgjithësi, të ndjehen sa më puristë kudo që janë në një betejë për t’i përjashtuar ato fjalë e shprehje të huaja, kur për to kemi fjalët shqipe për të njëjtin kuptim.
Le ta kujtojmë kontributin e madh që pati dhënë në krye të kohës Aleksandër Xhuvani në librin e tij ,,Për pastërtinë e gjuhës shqipe”, ai ka treguar se si mund të zëvendësohen shumë fjalë të huaj me fjalë e shprehje shqipe…
Le t’ia marrim sa s’është bërë vonë!
~Prof. Hamdi MAZREKU