A është ngecja realitet sot në shoqëritë me shumicë myslimane ?

A është ngecja realitet sot në shoqëritë me shumicë myslimane ?

Kjo pyetje është bërë para më se 100 viteve rreth asaj se përse arabët apo myslimanët assesi nuk kanë përparuar në segmente të rëndësishme shkencore të dynjasë. Dhe tani po ri përsëritet e njëjta pyetje por në një kontekst ndryshe, dhe kjo për një arsye; edhe se nuk përparuan aspak, pjesa e madhe e tyre mendojnë ende që nuk janë të tillë por që të tjerët po i sulmojnë.

Reformat në institucione dhe mos gatishmëria për hapa të avancuar dhe të kohës.

E shohim që perëndimi ka rregulla të avancuara të cilat përsosen në vazhdimësi. Një pjesë nga mesi i myslimanëve janë larguar nga mendja dhe dija, si dhe janë ndjekës të verbër të së kaluarës, duke thënë se ne jemi të zgjedhur dhe vetvetiu jemi përparimtarë.

Vendet Islame assesi nuk kanë arritur të largohen nga ndjekja e trashëguar e mendësisë së kaluar, që nuk përputhet me zhvillimin e shpejt të botës përparimtare.

Në vitin 1890-1900, perandori i Japonisë dërgoi në perëndim një grup studentësh për të shqyrtuar se, përse ata janë të përparuar dhe Japonia mbetet e prapambetur! Studentët Japonez u kthyen në Japoni dhe thanë se Evropa ka përparuar sepse ka plan program arsimor përparimtarë dhe të zhvilluar.

Perandori japonez mori parasysh mendimin e studentëve dhe vendosi që me fuqi maksimale të largoj qasjen dhe mendësinë e trashëguar, duke nxitur në avancim shkencor.

Edhe pse kishte vështirësi të bindte popullin që të heqë dorë nga veprimet e  trashëguara dhe jo reformatore, në fund ata u bindën dhe ndryshuan.

Ndërsa studentët arab të Marokut që u dërguan në perëndim për të parë shkaqet e avancimit dhe përparimit të shpejt të perëndimit, kur u kthyen në Marok me të gjeturat e tyre, ata thanë që duhet të reformohet administrata dhe po ashtu sollën opinionet e tyre rreth bujqësisë. Populli nuk e mirëpriti, duke paragjykuar si zakonisht që perëndimi nuk janë si ne dhe ne nuk kemi nevojë të ndjekim dhe të ndërrojmë stilin tonë, e të përqafojmë sistem ndryshe nga ky i yni i trashëguar. Mbetën dhe vazhduan të jenë të ngurtë. Lidershipi u detyrua të ndjek rrugën e deriatëhershme dhe të ruaj vullnetin jo avancues të popullit të tij.

Pra perandori japonez luftoi për të zhvilluar vendin e tij me model avancues dhe përparimtar, ndërsa sulltani i Marokut iu nënshtrua kërkesës për të ruajtur trashëgiminë e jo për ta pasuar  avancimin e zhvillimin. Kjo dëshirë e popullit ishte edhe vet vullnet i Sulltanit.

Dështimi i ripërtëritjes dhe avancimit dështoi nga brenda myslimanëve, të cilët donin të ruanin edhe më tutje sistemin e trashëguar, dhe jo atë modern e të zhvilluar. Pra, problemi është përbrenda shoqërive islame që vazhdojnë të paragjykojnë edhe më tej. Që do të thotë se në kohën e sulltanëve, në fund të shekullit të XIX-të, Maroku dështoi në reformimin e administratës, ushtrisë, arsimit dhe bujqësisë dhe mbetën ku edhe janë sot.

Kjo ndodhi në Marok nën qeverisjen e sultan Abdulhafid.

Njësoj ndodhi edhe në vendet e tjera të Afrikës veriore dhe lindjes së mesme. Vetë arabët dështuan nën qeverisjen e sulltanëve që të nxjerrin veten nga sistemet jo të kohës, në sisteme të avancuara dhe progresive. Arabët nuk mundën të hyjnë në kohën e teknologjisë dhe zhvillimit, ngase mbetën duke ruajtur modelet e tyre të vjetra dhe jo reformuese.

Ngecja e tyre mbeti e tillë në secilën sferë të jetës dhe kjo dëshmohet sot nga shumë mendimtarë reformatorë.  Arabët vazhduan me ushtri assesi të avancuar, mbetën nën sloganet e tyre luftarake, duke thirrur për xhihad dhe thirrje për të qëndruar vetëm nëpër xhami. Një gjë e tillë ndodhi dhe mbetet e tillë edhe në fushën e ekonomisë ku assesi të nxjerrin veten nga modeli i dështuar.

Po ashtu dijetarët mysliman gabuan kur me komentin e tyre të ajetit Kur’anor : Rrini në shtëpitë tuaja, dhe me këtë u thanë myslimanëve që femra duhet të mbetet vetëm në shtëpi, duke i pamundësuar asaj arsimimin dhe punën, si dhe thanë që vetëm burri duhet të jetë në qeverisje dhe gjykatë. Fukahatë-juristët islam, sollën vendim që femra në asnjë variant të mos jetë prijëse në asgjë. Dhe kështu arritën që të lejojnë vetëm mësimin fetar e assesi fizikën, mjekësinë, kiminë apo matematikën. U kufizuan arabët vetëm në fikh, hadith dhe lexim të Kur’anit. Pra mësoni vetëm fenë e jo shkencat tjera sepse mund të jetë përngjasim i perëndimorëve. Shkenca fetare sipas arabëve është e vlefshme kurse shkencat tjera janë të dëmshme dhe pa dobi. Kështu mbollën në kokën e tyre që shkenca është e dynjasë ndërsa mësimi fetar është ahireti. Dhe këtu nuk ndodhi assesi rilindja shkencore por mbeti stagnimi.

Perëndimi hapi universitete moderne që të ndajë dhe largoj ndikimin e kishës në kufizimin e të rinjve në mësime vetëm fetare.

Myslimanët e mbyllën mendjen duke mos i lejuar hapësirë dhe duke konstatuar vetëm angazhimin minimal të mendjes, në kuptimin vetëm të fesë sepse mendja duhet të jetë e kufizuar dhe kaq. Mbyllja e mendimit bëri që muslimanët të janë të këtillë duke trashëguar të kaluarën. Ibn Rushdi është i pari që bëri thirrje hapur për të angazhuar mendjen në çështje të botës. Librat e tij u dogjën nga vetë myslimanët, por në shekullin e XX-të e kuptuan myslimanët (disa) që Ibn Rushdi kishte të drejtë.

Tani pas mbi një shekull, myslimanët s’po pyesin pse ne kemi ngelur aty ku ishim. Arabët formuan shtetet e tyre të pavarura në shekullin 20. Arabët trashëguan shtetin të tillë me tradita e sistem trashëgues duke mos lejuar avancimin. Pra, e ndërtuan shtetin me mendje dhe mentalitet të kaluar. Dhe kjo nuk u mundëson assesi atyre zhvillimin. Përse, se çka do që është e perëndimit duhet ta luftojmë, dhe pra mbeten aty ku ishin. Tërë teknologjia e prodhuar në perëndim përdoret nga myslimanët por prapë truri mbetet ai që ishte. Kanë hyrë në një treg që në start e kanë të humbur. Mungon dija e shëndoshë.

Arabët kanë ndarë miliarda të holla në çështje fetare. Edhe pse në gjendje të mjeruar ekonomike ata ndanin financime vetëm në mësime fetare, e jo në parandalimin e papunësisë që ishte mbi 50 për qind.. Përqindja më e madhe e buxhetit të shumë vendeve arabe për sektorin e teknologjisë dhe hulumtimeve shkencore nuk e kalon 1 përqindëshin kurse vetëm në sektorin e hulumtimeve shkencore Izraeli ka ndarë rreth 5 për qind të buxhetit.

Në tri çështje Izraeli zë vendin e parë në botë. Kurse perëndimi vetëm në hulumtime shkencore ndanë rreth 800 miliardë buxhet vjetorë, ndërsa ministritë arabe ndajnë për festival, mësime fetare lexim e nxënie përmendësh etj.

E përse sot muslimanët nuk e pranojnë një fakt të këtillë dhe mbesin edhe më tej me urrejtjen e tyre ndaj perëndimit.

Pa na tregoni cili vend arab ka arritur të krijoj apo ndërtoj një sistem të drejtësisë dhe lirisë? Cili është model që sot duhet ta lakmojmë në botën arabe dhe muslimane, e përse?

Të shohim Arabinë saudite si shteti më i fortë arab me pasuri. Ata në vend se të avancojnë veten, ndajnë miliarda për të shpërndarë mësimet e tyre vehabiste, vehabizëm klasik dhe ekstrem që nuk e njeh civilizimin. Përmes kësaj ideologjie i treguan botës prapambeturin e tyre dhe ne shohim bërthamën e tyre me sjellje agresive kudo në botë.

Arabët por edhe me lëvizjet e tyre ideologjike krijuan propagandën në mesin e myslimanëve se perëndimi është i keq dhe ne jemi të mirë sepse ne jemi mysliman. Por harruan se këtu nuk është çështja e fesë, por kemi të bëjmë me prapambeturin ekonomike dhe teknologjike si dhe me sistemin shëndetësorë. Mbollën ideologjinë e prapambetur duke armiqësuar popullin me perëndimin, në emër të fetarizmit.

Gabimi më i madh i arabëve e myslimanëve është se ata mbesin me fanatizëm në të kaluarën dhe kur kanë probleme të ndryshme kthehen në të kaluarën, ndërsa perëndimi JO, ata e shohin të ardhmen e dijes dhe shkencës e nuk i kthehen të kaluarës. Të kaluarën e kujtojnë vetëm si kontekst historik e asgjë më shumë. Arabët edhe më tej duan të kthehen në ndërtimin e tyre me të kaluarën. Përdorën fenë për të mbizotëruar kokat e myslimanëve dhe për të parandaluar avancimin. Nuk mund të zhvillohesh me mendimin se kthimi prapa të zhvillon, kthimi prapa assesi nuk të zhvillon dhe nuk mjafton të thuash jam mysliman dhe vetvetiu jam përparimtar. Arabin nëse e pyet a më mirë e kaluara apo e sotmja, ai do të thotë se e kaluara është më e mirë, e thotë këtë sepse kështu i është zbukuruar. Ndërsa të mençurin kurdo që e pyet ai do të thotë e sotmja është më e mirë dhe e nesërmja edhe më e mirë.

Vetëm nëse të shkon mendja të thuash: Unë kam një mendim ndryshe nga ky që thoni, menjëherë vjen reagimi i ashpër: Dole nga feja dhe dole nga qëndrimi unanim i dijetarëve. Në rregull, qëndrimi unanim është i një kohe që ka kaluar dhe e pranojmë si të tillë por ai qëndrim nuk vlen sot. Që i bie jo gatishmëri për të sjellë një mendim të avancuar për të përmirësuar jetën në tokë dhe në shoqëri. Pra, menjëherë e ndërlidhin me fe diçka që s’ka të bëj me te aspak, dhe ti mbetesh i shtangur e i heshtur.

Konsensusi është i kohës por jo i përhershëm. Andaj ende arabët shumë prej tyre përdorin këtë mjet për të sulmuar reformatorët. Dhe ja kështu kanë mbetur ende në mentalitetin e vetëkënaqësisë dhe superioritetit  të vetëshpallur.

P.S: Ky shkrim nuk i përgjithëson popujt

Bekim Jashari